Secondary Adv

Banka e Shqipërisë shtyn edhe një vit programin për mbështetjen e SME-ve

Banka e Shqipërisë zgjat deri në vitin 2031 programin e kreditimit me kushte të lehtësuara për bizneset e vogla.

Banka e Shqipërisë ka vendosur të shtyjë edhe për një vit programin e mbështetjes me kredi për bizneset mikro, të vogla dhe të mesme. Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të vitit të kaluar nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës Qendrore, i cili miratoi disa ndryshime në rregulloren përkatëse, e cila ishte miratuar fillimisht në janar 2025.

 

Afatet e reja të programit

Sipas ndryshimeve të miratuara, afati maksimal për disbursimin e kredive që do të jenë pjesë e këtij programi dhe për aksesin fillestar të tyre në instrumentin e rifinancimit të Bankës së Shqipërisë do të jetë 31 dhjetor 2026, ndërsa më parë ky afat ishte parashikuar të përfundonte më 31 dhjetor 2025. Për të ruajtur afatin maksimal pesëvjeçar të huave të dhëna në kuadër të programit, kohëzgjatja e përgjithshme e zbatimit të nismës është shtyrë deri më 31 dhjetor 2031.

 

Një program i parë për mbështetje direkte

Kjo iniciativë e Bankës së Shqipërisë përfaqëson programin e parë përmes të cilit është ofruar mbështetje direkte për një segment të veçantë të biznesit në treg, nëpërmjet financimit me kushte të lehtësuara dhe me synimin për të nxitur investimet dhe zhvillimin e qëndrueshëm të SME-ve.

 

Kushtet e rifinancimit dhe normat e interesit

Likuiditeti i vënë në dispozicion të bankave nga Banka e Shqipërisë në kuadër të këtij programi ka një normë interesi vjetor prej 0.5%. Rregullorja parashikon gjithashtu që kostoja e rifinancimit të barazohet me normën bazë të interesit të vendosur nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në rast se kjo normë bie nën nivelin 0.5%.

 

Sektori bankar mund të japë kredi për SME-të në kuadër të programit me një normë interesi vjetore jo më të madhe se 3.5%. Banka e Shqipërisë vlerëson se vendosja e një tavani maksimal për kreditë e disbursuara rrit sigurinë dhe parashikueshmërinë për bizneset në planet e tyre të investimit dhe zhvillimit. Diferenca prej tre pikësh përqindjeje midis kostos së likuiditetit të ofruar nga Banka e Shqipërisë dhe çmimit të një kredie individuale konsiderohet e përafërt, megjithëse më e ulët, me diferencën mesatare midis çmimit të kredive për SME-të gjatë tre viteve të fundit dhe kostos së depozitave me afat për të njëjtën periudhë.

 

Lehtësime shtesë me garanci shtetërore

Në rast se kreditë për SME-të do të mbulohen me garanci shtetërore, norma tavan e interesit do të jetë edhe më e ulët. Kur garancia mbulon nga 15% deri në 35% të rrezikut të kredisë, norma e interesit nuk mund të jetë më e lartë se 3%. Nëse garancia sovrane mbulon nga 35% deri në 55% të rrezikut, interesi maksimal zbret në 2.5%, ndërsa në rastet kur mbulimi arrin nga 55% deri në 75% të rrezikut të kredisë, norma tavan e interesit do të jetë 2%.

 

Ecuria e kreditimit për SME-të

Deri më tani, Banka e Shqipërisë nuk ka publikuar të dhëna mbi shkallën e përdorimit të këtij programi gjatë vitit të parë të zbatimit. Megjithatë, statistikat zyrtare tregojnë se në fund të nëntorit 2025, portofoli i kredisë për bizneset mikro, të vogla dhe të mesme arriti në 236.5 miliardë lekë, duke shënuar një rritje vjetore prej 9.3%. Kjo rritje ishte lehtësisht më e lartë se mesatarja e rritjes së kredisë për bizneset në total për të njëjtën periudhë dhe rreth dy herë më e lartë krahasuar me rritjen prej 4.6% të regjistruar në periudhën nëntor 2023–nëntor 2024.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat